Punimet në rrugën Elbasan-Rrogozhinë, Rama: Drejt përfundimit 6 fazat e para, nis asfaltimi
Punimet në gjashtë fazat e para të aksit Elbasan–Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII, po shkojnë drejt përfundimit.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, realizimi fizik i përgjithshëm ka arritur në 87 për qind, ndërsa aktualisht po punohet intensivisht për shtresat asfaltike në rreth 15 kilometra të segmentit.
Gjashtë lotet e para përfshijnë pjesën e aksit që nis nga Elbasani dhe shtrihet deri në afërsi të Peqinit. Krahas punimeve në trupin e rrugës, në një prej loteve puna është përqendruar edhe në veprat e mëdha të artit. Sipas ARRSH-së, shtresat asfaltike po realizohen konkretisht në dy ura, ndërsa drejt përfundimit janë edhe punimet e mbistrukturës në dy ura të tjera.
Në total, gjashtë fazat e para mbulojnë rreth 20 kilometra të aksit të ri Elbasan–Rrogozhinë. Sipas objektivave të deklaruara më herët, përfundimi i tyre parashikohet brenda vitit 2026.
Aksi i plotë do të jetë 40.7 kilometra
Projekti i autostradës Elbasan–Rrogozhinë ka një gjatësi totale prej 40.7 kilometrash. Aksi nis pranë ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, ku parashikohet lidhja me bypass-in e Elbasanit, dhe përfundon në Lekaj, ku bashkohet me autostradën ekzistuese të Korridorit Blu. Traseja kalon në territorin e Elbasanit, Peqinit dhe Kavajës.
Pas përfundimit, aksi do të ketë nga dy korsi në secilin drejtim dhe do të krijojë një lidhje të re me standarde të larta rrugore përgjatë Korridorit VIII. Sipas dokumenteve të projektit, shpejtësia e lejuar në segmente të ndryshme të autostradës parashikohet të jetë nga 90 deri në 140 kilometra në orë.
Elbasan–Rrogozhinë është pjesë e Korridorit VIII, një prej korridoreve kryesore të transportit që zhvillohet në drejtimin lindje–perëndim. Nga Elbasani, korridori vijon drejt Qafë-Thanës, ku paralelisht po ndërtohen edhe segmente të tjera të këtij aksi strategjik.